Shurupi Daleron përmban paracetamol, i cili frenon sintezën e prostaglandinave në sistemin nervor qëndror, për rrjedhojë lehtësohet dhimbja dhe ulet temperatura.
Për shkak të efikasitetit dhe sigurisë, paracetamoli në dozat e rekomanduara është veçanërisht i përshtatshëm për fëmijët.
Shurupi Daleron ul temperaturën që shoqëron infeksione të ndryshme bakteriale dhe virale dhe reaksionet alergjike që shoqërojnë vaksinimin tek fëmijët.
Ai lehtëson dhimbjen e lehtë deri të moderuar (dhimbje koke, dhimbje të dhëmbit) dhe dhimbjen që shoqëron plagosjen, proçedurat mjekësore apo dentare.
2. Përpara se të përdoret Daleron
Mos përdorni Daleron
nëse fëmija juaj është alergjik (i mbindjeshëm) ndaj paracetamolit ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të Daleronit,
nëse fëmija juaj ka dëmtim të rëndë të mëlçisë apo të veshkave,
nëse fëmija juaj ka dëmtim të mëlçisë të shkaktuar nga viruset (hepatit viral) dhe
nëse fëmija juaj ka defiçit të lindur të glukozë-6-fosfat-dehidrogjenazës në rruazat e kuqe të gjakut.
Tregoni kujdes të veçantë me Daleron
nëse fëmija juaj ka pamjaftueshmëri të lehtë deri të moderuar të mëlçisë ose veshkave,
nëse simptomat zgjasin më shumë se 3 ditë pavarësisht nga trajtimi,
në fëmijët nën 2 vjeç, sepse tek ata bari i jepet vetëm me këshillën e mjekut,
në pacientë të dobësuar, të lodhur dhe alkolistët.
Bari nuk përmban sukrozë për rrjedhojë mund tu jepet pacientëve diabetikë.
Meqënëse shurupi Daleron përmban sorbitol dhe manitol, dozat e mëdha mund të shkaktojnë çrregullime gastrointestinale (diarre).
Marrja e barnave të tjera
Ju lutem njoftoni mjekun ose farmacistin nëse fëmija juaj është duke marrë ose ka marrë kohët e fundit ndonjë bar tjetër, përfshirë edhe ato barna që merren pa përshkrimin e mjekut.
Ndërveprimi me disa barna të tjerë mund të rezultojë në rritje ose ulje të efekteve të shurupit Daleron ose barnave të tjera.
Marrja e njëkohshme e paracetamolit dhe:
warfarinës (parandalim i mpiksjes së gjakut) rrit riskun për gjakrrjedhje,
metoklopramidit (rregullim i motilitetit intestinal) rrit efektet e paracetamolit,
domperidonit (parandalim i nauzesës dhe të vjellave) rrit efektet e paracetamolit,
kolestiraminës (rregullim i nivelit të kolesterolit dhe yndyrnave të tjera në gjak) ul efektet e paracetamolit,
barbiturateve dhe antiepileptikëve (trajtim i krizës epilepike) rrit riskun e efekteve anësore,
rifampicinës (trajtim i tuberkulozit) rrit riskun e efekteve anësore,
kloramfenikolit (trajtim i infeksioneve bakteriale) zgjat gjysëm-jetën e kloramfenikolit,
salicilamidi zgjat kohën e ekskretimit të paracetamolit dhe rrit formimin e metabolitëve toksikë,
barnat e tjerë që përmbajnë të njëjtën substancë aktive, paracetamol, rrisin riskun e efekteve anësore.
Marrja e Daleron me ushqim dhe pije
Pirja e alkoolit gjatë trajtimit me paracetamol rrit efektet toksike të paracetamolit në mëlçi.
Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Pyesni mjekun ose farmacistin për këshilla përpara se të merrni çdo lloj bari.
Shurupi Daleron përmban paracetamol në doza të përshtatshme për fëmijë.
Nëse jeni shtatzënë, merreni barin vetëm me këshillën e mjekut dhe për një kohë sa më të shkurtër që të jetë e mundur, mundësisht vetëm një dozë të vetme.
Studimet paraklinike tek kafshët nuk kanë treguar efekte të padëshiruara në shtatzëni dhe zhvillimin fetal.
Megjithatë, risku nuk mund të përjashtohet plotësisht.
Nëse jeni duke ushqyer me gji, merreni barin vetëm me këshillën e mjekut dhe për një kohë sa më të shkurtër të mundshme, mundësisht vetëm një dozë të vetme.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Shurupi Daleron nuk ka ndikim në aftësinë për të drejtuar automjetin dhe për të përdorur makineritë.
Informacion i rëndësishëm rreth disa përbërësve të Daleron
Shurupi Daleron përmban sorbitol dhe maltitol.
Nëse ju është thënë nga mjeku se keni intolerancë ndaj disa sheqernave, bisedoni me mjekun përpara se të merrni këtë lloj bari.
3. Si të përdoret Daleron
Përdoreni gjithmonë Daleronin ekzaktësisht siç ju ka instruktuar mjeku.