Arnica është një produkt që duhet mbajtur në shtëpi në rast emergjence si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit. Është bimë që rritet vetëm në lartësi të caktuara dhe që gjendet më vështirësi në natyrë. Bën pjesë në të njëjtën familje me lulen e diellit, Asteracee.
Në kohët e lashta, Arnica Montana konsiderohej bimë magjike, e lidhur me diellin. Sipas legjendave nordike, ishte në gjendje të largonte përbindëshit dhe demonët.
Është përdorur për shekuj me rradhë si bimë terapeutike. Të parët që vunë re potencialin e saj terapeutik ishin barinjtë e dhive që pasi rrëzoheshin ose pengoheshin, ngjiteshin instiktivisht në male në kërkim të luleve të saj dhe pasi ushqeheshin me to, përmirësoheshin. Përfitimet e saj ishin kaq të dukshme sa shumë shpejt u quajt Panacea lapsorum, apo kura e të rrëzuarve. Një nga përdorimet më të përhapura të saj ishte dhe është në evente traumatike të ndryshme. Në këto raste, përdorimi i menjëhershëm i një pomade apo oleoliti me bazë Arnica mbi zonën e dëmtuar, parandalon dhe trajton menjëherë ndrydhjet dhe goditjet e ndryshme.
Përbërësit aktivë kryesorë të kësaj bime janë: seskuiterpenet (elenalina), flavonoidet, vajrat esencialë, polisakaridet, derivatet e acidit kafeik që i japin bimës disa veti dhe lejojnë përdorimin për problematika të ndryshme:
▪︎ Redukton fryrjen e shkaktuar nga trauma, rënie dhe aksidente. Ndihmon gjithashtu në lehtësimin e dhimbjes dhe fryrjes së shkaktuar nga pickimi i mushkonjave, bletëve apo insekteve të ndryshëm.
▪︎ Ndihmon në zbehjen e shenjave dhe riabsorbimin më të shpejtë të hematomave dhe fryrjeve. Në disa persona, ka qenë e dobishme në riabsorbimin e fryrjeve post-operatore në gju. Pomada me bazë Arnica 20% e aplikuar 2 herë në ditë ka ndihmuar në reduktimin më të shpejtë të hematomave të shkaktuara nga ndërhyrjet lazer.
▪︎ Lehtëson ndrydhjet. Ndrydhjet janë të zakonshme tek sportistët por edhe tek personat me jetë më sedentare. Ato shkaktohen nga këputje apo zgjatje të legamenteve që janë fibra që lidhin kockat midis tyre dhe mbajnë të pozicionuar nyjet artikulare.
▪︎ Lehtëson dhimbjet muskulare. Jo rastësisht Arnica është një terapi e jashtëzakonshme për personat sportivë që mund t`a përdorin disa herë në ditë në rast traumash stërvitje. Masazhi me Arnica përpara aktivitetit sportiv ndihmon në nxehjen e muskujve dhe parandalimin e dëmtimeve. Një studim i publikuar në “European Journal of Sport and Science", ka vënë në dukje që pjesëmarrësit në studim që përdornin Arnica për masazhe në zonat e interesuara, kanë eksperimentuar më pak mpirje muskulare dhe dhimbje 72 orë pas një aktiviteti fizik intensiv. Mund të përdoret edhe për masazhe dekontraktuese në qafë, shpinë, tendina dhe artikulacione në përgjithësi, edhe në rast se nuk praktikohet aktivitet fizik.
▪︎ Kontraston artrozën. Artroza është një sëmundje e shkaktuar nga konsumimi i kartilagëve (indi qelizor mbrojtës i ekstremiteteve të kockave) të artikulacioneve duke shkaktuar dhimbje dhe fryrje. Arnica ka shfaqur efikasitet pikërisht në trajtimin e dhimbjes inflamatore të kësaj sëmundje.
▪︎ Lehtëson problematikat e lëkurës. Vaji i Arnica mund të jetë i nevojshëm në rast ekzeme, psoriaze dhe rosacea. Është në fakt i pasur me antioksidues që ndihmojnë reduktimin e shenjave të plakjes duke ulur stresin oksidues të lëkurës.
▪︎ Nxit rritjen e flokëve. Ekstraktet e bimës përdoren në produkte për flokët si shampoo, balsam, maska dhe spray pikërisht sepse favorizon rritjen e flokëve nëpërmjet ushqyerjes së lëkurës së kokës. Vetitë e saj zgjeruese të enëve të gjakut mund të nxisin fulikulat e qimeve (pilifere) dhe favorizojnë rritjen e flokëve të shëndetshëm.
Në treg ekzistojnë forma të ndryshme produktesh me bazë Arnica: krem, pomade, xhel dhe vaj që janë produkte për përdorim lokal. Mund të aplikohen në zonën e interesuar me anë të një masazhi të lehtë, edhe disa here gjatë ditës.
Kundërindikime
Duke bërë pjesë në familjen e Asteracee, përdorimi i Arnica duhet evituar në rast alergjie ndaj këtij grupi bimësh. Nuk përdoret mbi plagë të hapura apo decubitus sepse mund të japi efekt irritues. Gjithashtu përdorimi i zgjatur në kohë mund të shkaktojë shpërthime në lëkurë, fllucka dhe ulçera. Nëse pas disa ditësh përdorimi nuk ka ndryshuar asgjë përsa i përket dhimbjes apo hematomave, duhet të drejtoheni tek një mjek për të kuptuar nëse ka shkaqe të tjera që ndalojnë shërimin.