Scrub-i i fytyrës, përse duhet përfshirë në rutinën skincare?

Pastrimi i thellë dhe nxitja e rinovimit qelizor, 1 ose 2 herë gjatë javës, janë hapa themelorë për mirëqenien e lëkurës.

Pse është i rëndësishëm eksfolimi i lëkurës?

Lëkura në fakt është e aftë të rinovohet vetë, por kjo aftësi humbet me kalimin e kohës. Shtresa më sipërfaqësore e lëkurës, ajo korneale, përbëhet nga shumë qeliza të vdekura që akumulohen mbi sipërfaqen e lëkurës si rrjedhim i rinovimit qelizor. Këto qeliza të vdekura eliminohen gradualisht, por pas moshës 30 vjeç ky proçes ngadalësohet, shtresa korneale bëhet më e trashë dhe sipërfaqja e lëkurës më e ashpër. Në këtë fazë është e rëndësishme të përdorim një produkt eksfoliues ose peeling për të ndihmuar këtë proçes.

Gjithashtu në një lëkurë me pore të bllokuara ose qeliza të vdekura, çdo produkt që aplikojmë do ketë vështirësi të depërtojë dhe lëkura do të na duket më e zbehtë për shkak të akumulimit të qelizave të vdekura në sipërfaqe. Ndërsa një rutinë korrekte që përfshin eksfolimin përmirëson dhe lëmon teksturën e lëkurës duke e bërë më të ndritshme.


Sa shpesh duhet të eksfoliojmë lëkurën?

Eksfolimi nuk duhet bërë shumë shpesh pasi mund të dobësojë barrierën mbrojtëse të lëkurës dhe t`a bëjë shumë të ndjeshme. Ideale do të ishte 1 ose 2 herë në javë për lëkura normale, të thata dhe të yndyrshme. Në rast lëkure të ndjeshme ose me akne aktive, eksfolimi duhet kryer me kujdes pasi vërtetë duhet të reduktojmë hiperkeratinizimin dhe trashjen e shtresës korneale, por nga ana tjetër duhet të evitojmë përhapjen e infeksionit dhe zhvillimin e akneve të reja.

Ky rregull nuk vlen në rast peeling kimik me acid glikolik ose salicilik pasi scrub-i me bazë mikrogrimcash është i ndryshëm nga një locion eksfoliues kimik me përqendrime të ulëta që përdoret në përditshmëri. Si rregull i përgjithshëm, sa më intensiv të jetë mekanizmi i eksfolimit ose përqendrimi i përbërësve aktivë (në rast të atyre kimikë ose enzimatikë, aq më pak i shpeshtë duhet të jetë ai.


Përbërësit aktivë që duhet të ketë një eksfoliues i mirë:

Ekzistojnë 3 tipe të ndryshëm eksfoliuesish me përbërës aktivë të ndryshëm.

▪︎ Eksfoliuesit fizikë përmbajnë mikrogrimca që pastrojnë dhe largojnë qelizat e vdekura nëpërmjet eksfolimit mekanik. Për këtë arsye janë më agresivë me lëkurën prandaj rekomandohen të masazhohen butësisht në mënyrë që mos të shkaktojnë skuqje, irritime ose mikrolezione. Duhen evituar mbi lëkurë shumë të ndjeshme, të skuqur ose me kapilarë të dukshëm dhe mbi lëkurën me tendencë akneike me akne aktive sepse mund të transmetojnë infeksionin në zona të tjera të lëkurës. Këshillohet përdorimi 2 herë në javë edhe pse ekzistojnë formula me grimca shumë të vogla që lejojnë përdorim edhe më të shpeshtë mbi lëkurat më të trasha dhe rezistente.


▪︎ Eksfoliuesit kimikë janë produkte kozmetike që funksionojnë si peeling shtëpiakë sepse përmbajnë përbërës kimikë eksfoliues në përqendrim të vogël. Përbërësit aktivë janë: alfa hidroksiacidet (AHA) si acidi glikolik, laktik ose mandelik dhe beta-hidroksiacidet si acidi salicilik. Së fundmi, po përhapen edhe polihidroksiacidet (PHA), më delikatë se të parët. Këshillohen sidomos për lëkurat me imperfeksione ose akne, sepse jo vetëm eksfoliojnë por kontrollojne edhe prodhimin e sebumit. Mund të përdoren 1 herë në javë, ose nëse janë me përqendrim të ulët (në tonikë ose locione) edhe çdo ditë dhe janë hapi i parë i rutinës skincare pas pastrimit të fytyrës. Por kujdes lëkurat delikate që duhet të kufizojnë përdorimin ashtu si ato me rosace apo dermatit.


▪︎ Eksfoliuesit enzimatikë janë të ngjashëm me peeling kimik dhe përbëhen nga enzima bimore që thyejnë lidhjen midis qelizave sipërfaqësore duke lehtësuar shkëputjen. Janë opsioni më i mirë për lëkura më të ndjeshme sepse më pak irrituese. Në përgjithësi aplikohen në formën e maskës.


Kur duhet bërë, ditën apo natën?

Këshillohet të kryhet në darkë pasi është momenti në të cilin trupi përgatitet për rigjenerim. Ky është momenti kur lëkura është më e relaksuar dhe ne jemi më të predispozuar për t`u kujdesur për veten, ja pse fundjava është momenti ideal. Pas eksfolimit, mund të përdoret një maskë hidratuese dhe qetësuese.

Përdorimi gjatë ditës indikohet në 2 raste specifike. Nëse përdorim retinolin në rutinën e natës, ka kuptim të përdoret një scrub shumë delikat në mëngjes që lehtëson shkëputjen e korneociteve meqenëse retinoli përshpejton rigjenerimin e lëkurës gjatë natës. Edhe locionet kimike eksfoliuese delikate për përdorim të përditshëm, mund të përdoren si ditën, ashtu edhe natën.


0.259
294.38 KB