Tërheqja e gengivave: shenjat dhe zgjidhjet natyrale!
Gengivat e tërhequra nuk janë vetëm një problem estetik por edhe një shqetësim shëndetësor i rëndësishëm që jo vetëm dobëson dhëmbët, gengivat dhe gojën, por mund të ketë dhe pasoja mbi shëndetin në përgjithësi. Mirëqenia e gojës lidhet direkt me shëndetin e përgjithshëm. Mund të shkaktojë edhe humbjen e parakohshme të një ose më shumë dhëmbëve.
Gengiva të skuqura, ndjeshmëri ndaj të ngrohtit dhe të ftohtit, dhëmbë që duken më të verdhë dhe më të gjatë janë disa nga shenjat që tregojnë tërheqje gengivale.
Tërheqja ose humbja e indit qelizor të gengivave, një ind i butë që mbulon rrënjët dhe procesin alveolar të rrënjëve dhe ka funksion mbrojtës sepse mban larg mikrobet nga parodonti, aparati mbështetës që mban të rrënjosur dhëmbin tek kockat e nofullave.
Gengivat që tërhiqen në mënyrë progresive drejt rrënjës kanë tendencë të lënë të zbuluar dhëmbin dhe e bëjnë të duket më i gjatë dhe më i verdhë se të tjerët. Dhëmbët që preken më shumë janë kaninët dhe premolarët. Edhe pse ndodh më shumë pas moshës 40 vjeç, në raste të rralla mund të shfaqet që në adoleshencë. Është me të vërtetë një sëmundje që nëse lihet pas dore dhe nuk kurohet mund të rëndohet derisa të shkaktojë:
▪︎ rritje të rrezikut për karies
▪︎ pllakë dhe gurëza
▪︎ hiperndjeshmëri të dhëmbëve
▪︎ vështirësi gjatë përtypjes
▪︎ spostim i dhëmbëve që duken të distancuar midis tyre
▪︎ dhëmbë që lëvizin
▪︎ dhëmbë të brishtë me tendencë rënie
▪︎ aromë e pakënshme e gojës (alitozë)
Meqenëse ky proçes ndodh në mënyrë të ngadaltë por progresiv, shpesh e kuptojmë problemin vetëm kur shfaqen simptomat, që mund të lehtësohen në disa mënyra me rezultate të ndryshme sipas gravitetit të gjendjes apo faktorëve që e kanë shkaktuar.
Tërheqja gengivale e rëndë ka nevojë për kirurgji gengivale. Bëhet fjalë për autotraplant të gengivës falë të cilit pjesa e zbuluar e dhëmbit mbulohet duke bllokuar në të njëjtën kohë avancimin e sëmundjes.
Përse tërhiqen gengivat?
Ndër shkaqet më të zakonshme janë:
▪︎ higjienë e pamjaftueshme orale
▪︎ larja e dhëmbëve në mënyrë agresive ose përdorimi i furçave të papërshtatshme të dhëmbëve (me fije të forta)
▪︎ kafshim i parregullt dhe prania e dhëmbëve të shtrembët
▪︎ trauma të indit gengival
▪︎ sëmundje të trashëgueshme të gengivave
▪︎ bruksizëm apo kërcitja e dhëmbëve
▪︎ tymi i duhanit
▪︎ piercing në buzë ose gengiva
▪︎ ndryshime hormonale
▪︎ mungesë e vitaminës C
▪︎ gengivit
▪︎ parodontit
Gengivat e tërhequra, a mund të kthehen në normalitet?
Fatkeqësisht gengivat nuk rigjenerohen vetë por një higjienë orale e përshtatshme dhe ndërhyrja e dentistit janë në gjendje të rekuperojnë gengivën në pjesën e zbuluar të dhëmbit.
Ndryshimet midis tërheqjes gengivale, gengivitit dhe parodontitit
Përveç tërheqjes gengivale për të cilën folëm gjerësisht, janë shumë të përhapur edhe:
▪︎Gengiviti: bëhet fjalë për inflamacion të gengivave që mund të favorizojë gjakderdhjen, skuqjen, ndjeshmërinë e dhëmbëve dhe aromën e pakëndshme.
Shkaqet janë të ndryshme, disa të përbashkëta me tërheqjen gengivale. Ndër më të zakonshmit është akumulimi i mikrobeve dhe mbetjeve të ushqimeve falë higjienës orale të pamjaftueshme. Edhe larja e dhëmbëve në mënyrë shumë agresive, mund të lehtësojë inflamacionin e gengivave. Kush vuan nga stresi kronik, ka më shumë mundësi të zhvillojë gengivit stresi që kontribuon në rritjen e formimit të pllakës dentare. Sipas një studimi të Harvard University, shkaktar është kortizoli apo hormoni i stresit që në prani të stresit prodhohet në sasi më të madhe. Duke dobësuar mbrojtjen imunitare, ky hormon lehtëson shumimin e baktereve dhe hormoneve të dëmshëm në të gjithë trupin, përfshirë gojën. Për këtë shkak, kur kalojmë momente stresi të fortë, sëmuremi më lehtë. Në mënyrë specifike, në gojë stresi shkakton ulje të sasisë së pështymës që ka si funksion të pastrojë gojën nga mikrobet, duke favorizuar kështu formimin e pllakës. Edhe pse karakterizohet nga prania e dhimbjes dhe irritimit, gengiviti është më i lehti për tu trajtuar por nëse lihet pas dore mund të lehtësojë shfaqjen e tërheqjes gengivale por edhe të piorresë.
▪︎ Parodontiti ose piorrea: bëhet fjalë për gjendjen më të rëndë, që mund të preki si dhëmbët, ashtu edhe gengivat. Zhvillohet si pasojë e inflamacionit (gengivitit) që favorizon akumulimin e pllakës së dhëmbëve. Me kalimin e kohës, nëse nuk trajtohet, mund të favorizojë tërheqje gengivale, deri (në raste parodontiti të rëndë) në shkatërrimin e indeve qelizore që formojnë periodontium. Parodontiti ka simptoma të ndryshme sipas fazës së zhvillimit që përfshijnë: gjakderdhje, alitozë, dhimbje, fryrje të gengivave në fazën fillestare, tërheqje gengivale, rrallim të dhëmbëve dhe dhëmbë që lëvizin, deri në humbjen e dhëmbëve në format më të rënda.
Zgjidhjet natyrale
1- Aloe Vera gel është i dobishëm për të ulur inflamacionin. Duhet masazhuar butësisht mbi gengivat të paktën 2 herë në ditë në mënyrë që të lërë një ndjesi freskie të këndshme dhe në të njëjtën kohë të lehtësojë irritimin dhe gjakderdhjen.
2- Ndër vitaminat për tërheqjen e gengivave, meriton të përmendet vitamina C, sidomos kur hamë pak fruta dhe perime të freskëta, pijmë duhan dhe jemi nën stres. Mungesa e vitaminës C është në fakt një prej shkaqeve që lehtësojnë tërheqjen e gengivave. Bëhet fjalë për një vitaminë të tretshme në ujë dhe për këtë arsye organizmi nuk është në gjendje ta depozitojë kur merret me tepricë prandaj është shumë e lehtë të krijohet mungesë në organizëm.
3-Për të ruajtur shëndetin e gengivave, shërbejnë edhe boronicat ( të freskëta, të thara apo lëng pa sheqer). Ato përmbajnë polifenole që janë substanca me veprim antioksidues që kontrastojnë proliferimin e mikrobeve në gojë, sidomos pas vakteve. Gjithashtu boronicat përmbajnë përbërës aktivë që stabilizojnë kolagjenin duke forcuar në këtë mënyrë indin gengival.
4. Omega-3, acide yndyrore esencialë me veprim antiinflamator njihen për veprimin mbrojtës ndaj zemrës, por jo vetëm. Sjellin përfitime edhe për gengivat. Acidet yndyrore kryesore që përbëjnë omega-3, DHA dhe EPA kontribuojnë në reduktimin e inflamacionit të gengivave ose parodontitit në masën 20%. Është vërtetuar në mënyrë të veçantë që mbrojnë dhëmbët dhe gengivat nga sulmi i mikrorganizmave si Streptococcus mutans, Candida albicans dhe Porphyromonas ginigivalis.
5. Ndër vajrat esencialë më të dobishëm për mirëqenien e gengivave, është Tea tree oil që falë veprimit antibakterial, mund të përdoret si kolutor natyral i holluar në ujë për të mbajtur të pastër gojën dhe kontrastuar praninë e mikrobeve që mund të shkaktojnë gurëza dhe karies.
6.Një zgjidhje natyrale me origjinë nga Ayurveda është oil pulling, që është tip gargare që bëhet me vaj kokosi, suzami apo luledielli. Një praktikë e tillë ndihmon në parandalimin e kariesit, alitozës, gjakderdhjes, tharjes së grykës, rrjepjes së buzëve dhe këshillohet për të forcuar dhëmbët dhe gengivat. Oil pulling është një metodë që pastron zgavrën e gojës dhe eliminon toksinat që organizmi tenton të eliminojë gjatë natës nëpërmjet pështymës.
Higjiena e përditshme dhe të ushqyerit
Janë të rëndësishëm për higjienën e gengivave.
Larja e dhëmbëve në mënyrë agresive ose në të kundërt shumë pak, duke mos arritur të pastrohet plotësisht zgavra e gojës, mund të favorizojë alterim të shëndetit të gengivave. Në këtë mënyrë, ato mund të skuqen, irritohen ose sulmohen nga mikrobet që formojnë gurëzat. Furça në rast tërheqje gengivale, duhet të ketë fijet e buta. Edhe pastat e dhëmbëve me bazë Aloe janë të dobishme në këtë rast.
Përsa i përket të ushqyerit, një regjim ushqimor i ekuilibruar dhe me nutrientë të përshtatshëm është esencial për një gojë të shëndetshme sepse ndihmon në parandalimin e kariesit dhe sëmundjeve gengivale. Frutat dhe perimet e stinës, legumet dhe peshku janë të pasur me nutrientë që mbajnë të shëndetshëm dhëmbët dhe gengivat. Duhen preferuar fruta dhe perime që përmbajnë në mënyrë natyrale vitaminë C dhe vitaminë A, ushqyes kyç për smaltin e dhëmbëve. Mineralet si Kalçiumi dhe Fosfori kontribuojnë në shëndetin e dhëmbëve duke i mbrojtur dhe rindërtuar zmaltin e tyre.