Vitamina D është një molekulë steroide (hormon) e prodhuar kryesisht në lëkurë nga veprimi i rrezeve UVB mbi 7-Dehidro kolesterolin dhe rregullon shprehjen dhe aktivizimin e shumë gjeneve.
Megjithëse roli i saj kryesor është kontrolli i metabolizmit të kockave dhe homeostaza e kalciumit dhe fosforit, vitamina D kryen shumë funksione jo-skeletrike. Përfshihen këtu funksionet në sëmundjet autoimune, në sëmundjet infektive, në sindromën metabolike, në sëmundjet kardiovaskulare, në tumoret dhe në uljen e vdekshmërisë për të gjitha shkaqet.
Mungesa e vitaminës D, është e zakonshme në të gjithë botën. As vendet me shumë diell si Italia, Spanja, Greqia, Iraku, përfshirë dhe vendin tone, nuk janë imune.
Për të vlerësuar praninë e vitaminës D në organizëm, përdoret matja e nivelit në gjak të 25-Hidroksi vitamina D apo 25 (OH) D.
Mungesa apo pamjaftueshmëria në përgjithësi përcaktohen nga këto vlera:
-Mungesa: niveli i 25 (OH)D më i vogel se 20 ng/ ml (ose 50 nmol/l)
-Pamjaftueshmëria: niveli i 25 (OH)D midis 20-29 ng/ml (ose midis 50-72.5 nmol/l)
Studime epidemiologjike ndërkombetare kanë zbuluar një lidhje sinjifikative midis nivelit të 25 (OH)D në gjak dhe rritjes së incidencës së disa sëmundjeve autoimune ndër të cilat: diabeti i tipit 1, artriti reumatoid, lupus eritematoz sistemik (LES), skleroza multiple (SM) dhe sëmundje inflamatore kronike intestinale (Crohn dhe rektokoliti ulceroz).
Të dhënat eksperimentale kanë treguar se suplementimi me vitaminë D mund të parandalojë apo të ndihmoje ne zgjidhjen e ketyre semundjeve autoimune dhe studime të ndryshme klinike kanë treguar se suplementet e vitaminës D mund të parandalojnë zhvillimin e Artritit reumatoid, Sklerozes multiple dhe Diabetit te tipit 1 nëse merren ne mënyrë profilaktike.
Fakti që shumë studime kanë shqyrtuar lidhjen midis nivelit të ulët të vitaminës D dhe sëmundjes autoimune të tiroides (AITD) është shprësedhënës.
Më të shumtët kanë zbuluar nivele të ulëta të vitaminës D në gjak në pacientët me Hashimoto. Mungesa e vitaminës D ka qenë e lidhur me nivele të larta në gjak të antitrupave antitiroide, funksionimit anormal të tiroides, rritjes së përmasave të tiroides dhe rritjes së nivelit të hormonit stimulues të saj (TSH).
Një studim i fundit ka treguar që nivele te ulëta në gjak të 25 (OH)D në pacientë me Hashimoto shoqëroheshin me nivele të lartë të antitrupave anti-peroksidazë (anti-TPO) dhe se pas 4 muajve suplementim me vitaminë D, në këta paciente u verifikua një reduktim sinjifikativ i niveleve anti-TPO.
Edhe Seleniumi dhe Mio-Inozitoli kanë efekte të ngjashme: reduktim i antitrupave dhe normalizim i TSH.
Në një prej studimeve më të fundit (mbi më shumë se 700 paciente me Hashimoto), pacientët me pamjaftueshmëri të vitaminës D paraqisnin përqendrime të TSH dhe rritje të antitrupave kunder tiroides shumë më të larta se pacientët me mjaftueshmëri të vitaminës D.
Si përfundim keto të dhena, sugjerojnë një lidhje midis pamjaftueshmërisë së vitaminës D dhe patogjenezës së semundjeve autoimunitare të tiroides, sidomos të Hashimotos.
Edhe ushqimi luan një rol të rëndësishëm në këto semundje. Një prej mekanizmave kryesorë të hipotiroidizmit është teprica e sheqerit (perfshirë miellin e rafinuar, tip 0 ose 00) që prishin ekuilibrin insulinë-glukagon duke shkaktuar prodhimin e Kortizolit që pengon funksionimin normal të tiroides (duke vepruar mbi hipotalamin, vendos tiroiden në një gjendje”kursimi energjitik”).
Vlerësimi nëpërmjet analizave vetëm i vitaminës D vlen pak nëse nuk shoqërohet nga vlerësimi përveçse i hormoneve të tiroides, edhe i paratormonit (PTH), antitrupave anti-tiroide, Magnezit, Calciumit, Homocisteinës, vitaminës B12 dhe folateve.