🍏E thotë vetë fjala: vita-jetë. Mungesa e tyre injorohet, neglizhohet apo nënvlerësohet nga një pjesë e profesionistëve me shprehje të tipit «ha pak më shumë fruta dhe perime», «merr pak më shumë diell» etj. etj.
Vërtetë janë të largëta kohët kur mungesat e vitaminave tek marinarët⛵ që qëndronin për shumë kohë në det dhe kequshqeheshin, shkaktonin skorbutin, beriberin, pellagrën etj. por sasia dhe konsumimi i tyre duhet të jetë e tillë që jo vetëm të evitojë sëmundjet, por edhe të sigurojë shëndet të mirë.
📍Vlerat e rekomanduara (RDA) të vitaminave janë minimale për të mos u sëmurur. Për shembull, RDA e vitaminës C është 60 mg, e pamjaftueshme për një vitaminë e cila nuk prodhohet nga trupi ynë dhe duhet marrë patjetër nga jashtë nëpërmjet ushqimeve dhe shtesave ushqimore. Për të marrë sasinë e duhur të vitaminës D, duhet ekspozim të paktën gjysëm ore në diell, çdo ditë të vitit me krahët, këmbët, kraharorin dhe fytyren të zbuluar. Edhe vitaminat e tjera mund të merren nëpërmjet ushqimit, por ndonjëherë mund të mos mjaftojë për shkak të faktorëve të ndryshëm.
💊Përdorimi i medikamenteve, sidomos për një kohë të gjatë në rast sëmundjesh kronike si hipertension, diabet apo çrregullime gastrointestinale shkakton mungesë vitaminash.
Probleme apo patologji të zorrëve apo të stomakut, çeliakia etj. shkaktojnë mungesa vitaminash pasi çdo problem i zorrëve apo i stomakut ndikon në absorbimin e këtyre nutrientëve të rëndësishëm.
🩸Pjesa më e madhe e vitaminave mund të maten në gjak ose me mënyra të tjera. Kjo do të ishte një pikënisje e mirë për përcaktimin e mungesave dhe korrigjimin e tyre me shtesa ushqimore që duhet të jenë sa më natyrale dhe të absorbueshme nga organizmi.