Ndjeshmëria ndaj glutenit jo çeliake karakterizohet nga shumë simptoma që lidhen me konsumin e ushqimeve që përmbajnë gluten dhe që nuk janë të prekur nga çeliakia apo alergjia ndaj grurit. Këto 2 diagnoza duhen përjashtuar përpara se të flitet për ndjeshmëri ndaj glutenit. Pra nëse nuk keni antitrupa anti-gluten dhe biopsia e duodenit është negative dhe njëkohësisht nuk jeni çeliakë, as alergjikë ndaj grurit, mund të jeni të prekur nga ndjeshmëria ndaj glutenit jo çeliake.
Intoleranca ndaj glutenit paraqet manifestime intestinale (fryrje barku, alterim të feçeve, vështirësi tretje, refluks acid) por edhe simptoma extraintestinale si:
▪︎ çorientim
▪︎ dhimbje koke
▪︎ lodhje
▪︎ dhimbje artikulare dhe muskulare
▪︎ mpirje e këmbëve ose duarve
Pacientët me NCGS mund të shfaqin edhe sëmundje psikiatrike si depresion, ankth dhe psikozë.
Ndjeshmëria ndaj glutenit mund të lidhet me sëmundjet autoimune dhe përshkueshmëria intestinale. Sëmundjet autoimune më të lidhura janë:
▪︎ Tiroiditi i Hashimotos
▪︎ Dermatiti herpetiform
▪︎ Psoriaza
▪︎ Sëmundjet reumatologjike
Në 18% të rasteve me ndjeshmëri ndaj glutenit paraqiten dermatit, shpërthime në lëkurë dhe ekzema të papërcaktuara. Pozicioni i lëkurës ku paraqiten më shpesh janë krahët (në 94% të rasteve) në të njëjtin pozicion me Dermatitin herpetiform që paraqitet së bashku me çeliakinë.
Në të gjithë pacientët, një regjim ushqimor pa gluten ka sjellë zhdukjen e lezioneve brenda muajit.
Pra nëse vini re se:
▪︎ ushqimet me gluten ju bëjnë keq
▪︎ nuk keni antitrupa anti-gluten
▪︎ që gastroskopia ka përjashtuar alterime të vileve të zorrëve
▪︎ që duke hequr glutenin, ndiheni më mirë, më energjikë, pa dhimbje koke dhe problemet dermatologjike zhduken
▪︎ që duke kthyer glutenin në regjimin tuaj ushqimor, problemet e mëparshme rishfaqen
Mund të klasifikoheni si i ndjeshëm ndaj glutenit!